Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik, Këshilli gjyqësoro-mediatik dhe Komiteti i Helsinkit të Holandës mbajtën një tryezë të rrumbullakët me temë: “Liria e shprehjes dhe liria e medias”

Sot (1 nëntor 2021) Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik në bashkëpunim me Këshillin gjyqësoro-mediatik (KGJM) dhe Komitetin e Helsinkit të Holandës mbajtën një tryezë të rrumbullakët online kushtuar lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias.

Përkatësisht, realizimi i këtij evenimenti është pjesë e Memorandumit për bashkëpunim të nënshkruar ndërmjet  Akademisë dhe Këshillit gjyqësoro-mediatik të Maqedonisë së Veriut, nga njëra anë, dhe bashkëpunimit ndërmjet Akademisë me Komitetin e Helsinkit dhe Qendrës për trajnim gjyqësor të Holandës, nga ana tjetër.

 

 

Moderator i tryezës ishte drejtori i Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik prof. d-r Natasha Gaber Damjanovska, ndërsa në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i Gjykatës themelore penale Shkup, i cili ndërkohë është edhe kryetar i Këshillit  gjyqësoro–mediatik, z. Ivan Gjolev. Në temën diskutuan gjykatës nga Gjykata themelore penale dhe Gjykata administrative, anëtarët e Këshillit gjyqësoro–mediatik, përfaqësues të Prokurorisë publike të Maqedonisë së Veriut dhe Prokurorisë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilët janë të ngarkuar për marrëdhënie me publikun dhe ekspertët holandez: znj. Lieneke de Klerk, gjykatëse e vjetër dhe oficere për media, z. Machteld Geertsema, Prokuror i përgjithshëm në zyrën e prokurorisë së Amsterdamit dhe oficer për media, si dhe znj. Anne Tahapary, përfaqësuese e Qendrës për trajnim gjyqësor, z. Joeri Buhrer Tavanier dhe znj. Iris Van Loop, përfaqësues nga Komiteti i Helsinkit të Holandës.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte shkëmbimi i përvojave në mes dy vendeve në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, me fokus përgjegjësit e marrëdhënieve me publikun në jurisprudencë. Maqedonia e Veriut po bën përpjekje të mëdha në drejtim për të rritur transparencën e gjyqësorit, por njëkohësisht për të ndërtuar profesionalizmin dhe etikën e profesionit të gazetarit. Marrëdhënia në mes gjyqësorit dhe mediave është jashtëzakonisht e rëndësishme për ndyshimin e perceptimit publik për gjyqësorin, i cili po bën progres në Maqedoninë e Veriut, por ka ende fusha në të cilat duhet investuar dhe përmirësuar ato. Të pranishmit diskutuan edhe për praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut për çështjet që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, e cila ka një ndikim të madh në veprimet e gjykatësve vendas në këtë fushë.

Të pranishmit në tryezën e rrumbullakët ranë dakord se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i përvojave është një mundësi e shkëlqyer për prezentimin e praktikave të mira dhe identifikimin e vendimeve pozitive, kështu që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen përmes zbatimit të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias.