Zëvendësdrejtori i Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik, M-r Ilir Iseni, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit „Qasja e grave në drejtësi në Ballkanin Perëndimor“ në Strasburg

Untitled 4

Zëvendësdrejtori i Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik, M-r Ilir Iseni, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit „Qasja e grave në drejtësi në Ballkanin Perëndimor“, e cila u mbajt më 13 dhe 14 tetor 2026 në Strasburg, Francë.

Projekti „Qasja e grave në drejtësi në Ballkanin Perëndimor“ zbatohet nga Këshilli i Evropës dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit „Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III“. Kjo iniciativë e rëndësishme mbështet drejtpërdrejt zbatimin e standardeve ndërkombëtare për barazinë gjinore dhe luftën kundër dhunës ndaj grave në të gjithë rajonin.

Aktiviteti mblodhi në një vend gjykatës, prokurorë publik, përfaqësues të institucioneve të trajnimit gjyqësor, ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga Grupi i Ekspertëve për veprim kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (GREVIO).

Në kuadër të diskutimeve plenare dhe formatit specifik të tryezave të rrumbullakëta („World café“), pjesëmarrësit nga Ballkani Perëndimor dhe Partneriteti Lindor shqyrtuan rezultatet e arritura, shkëmbyen njohuri dhe konfirmuan standardet e Këshillit të Evropës si tregues kyç për vlerësimin e progresit në ndërtimin e një sistemi gjyqësor me ndjeshmëri gjinore. Veçanërisht lart u vlerësua programi i mentorimit të projektit i destinuar për gjykatësit dhe prokurorët publik, i cili u dëshmua si një instrument transformues për një kuptim më të mirë të realitetit me të cilin ballafaqohen gratë që kërkojnë drejtësi.

Pas përfundimit të pjesës punuese, zëvendësdrejtori M-r Ilir Iseni, në cilësinë e anëtarit, mori pjesë aktive në mbledhjen e Komitetit Drejtues (Steering Committee). Në kuadër të diskutimit me përfaqësuesit e akademive gjyqësore nga rajoni, M-r Iseni dha propozime konkrete për sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të rezultateve të projektit përmes tri drejtimeve kyçe: Përfshirja e detyrueshme e temës për drejtësinë me ndjeshmëri gjinore në programet mësimore të Akademisë (trajnimi fillestar dhe i vazhdueshëm); Vazhdimi i programit të suksesshëm të mentorimit dhe zgjerimi i tij me qëllim që të përfshihen të gjithë gjykatësit dhe prokurorët publik aktivë në vend; si dhe, Kalimi nga fokusi kombëtar drejt një qasjeje të koordinuar rajonale (regional-based focus approach) me qëllim unifikimin e praktikave të mira në nivel të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Me pjesëmarrjen në këtë aktivitet dhe hapat e propozuar, Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik konfirmon përkushtimin e saj të fortë për ruajtjen e progresit dhe avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të gjyqësorit vendor për sigurimin e një qasjeje të barabartë, të drejtë dhe me ndjeshmëri gjinore ndaj drejtësisë për të gjithë qytetarët.