Zëvendësdrejtori i Akademisë Ilir Iseni mori pjesë në diskutimin për Draft – Raportin në hije për Kapitullin 23 në periudhën tetor 2021- shtator 2022

DSC_0800-Large

Më 25 nëntor 2022 në hotelin “Panoramika Dizajn dhe Spa“ – Shkup, u mbajt diskutimi për Draft – Raportin në hije për Kapitullin 23 për periudhën tetor 2021 – shtator 2022 e organizuar nga Instituti për politikë evropiane (EPI) në kuadër të projektit: “Ndërtojmë ura për ardhmëri të përbashkët: Sundimi i së drejtës në drejtim të qasjes në BE“, i cili është i financuar nga Bashkimi Evropian.

Qëllimi kryesor i projektit është të ndihmojë krijimin e reformave të qëndrueshme për sundimin e së drejtës në drejtim të qasjes në BE.

Diskutimi u organizua me qëllim që të prezentohen dhe diskutohen elementet kyçe të Raportit në hije për Kapitullin 23 për periudhën 23 tetor 2021 – shtator 2022.

Në këtë ngjarje ishin të ftuar përfaqësues nga Sekretariati për çështje evropiane, Ministrisë së Drejtësisë, sistemit të drejtësisë, sektorit qytetar në fushën e së drejtës, akademikë dhe ekspertë të pavarur si dhe përfaqësues të Delegacionit të BE-së.

Me fjalime përshëndetëse të pranishmëve iu drejtuan d-r Simonida Kacarska, drejtoreshë në Institutin për politikë evropiane dhe znj. Frosina Tasevska, këshilltare shtetërore në Ministrinë e Drejtësisë.

Në vijim të diskutimit, dhe në këndvështrim të segmentit që i dedikohet Akademisë, radhën e fjalës e kishte edhe gjykatësi Ilir Iseni, zëvendësdrejtori i Akademisë, i cili konstatoi se të dhënat në Draft – Raportin janë korekte, për shkak se Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik ende është pika e vetme për hyrje në gjyqësinë dhe prokurorinë publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe kjo është e nënvizuar edhe në Raportin për avancimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 nga ana e Komisionit Evropian, me një sugjerim të qartë që AGJPP përsëri të jetë pika e vetme për hyrje në gjyqësinë dhe prokurorinë, por edhe të sigurohet qasja e drejtë dhe transparente ndaj këtyre profesioneve. Në këtë drejtim, është e nevojshme që sa më shpejt të miratohet Ligji i ri për AGJPP-në, e cila gjendet në procedurë parlamentare, mirëpo për miratimin e së cilës është e dukshme se duhet të ketë dialog dhe konsenzus në mes të gjitha partive politike të cilat janë pjesë e Parlamentit të RMV-së, sepse vetëm nëpërmjet dialogut dhe konsenzusit mund të miratohet  jo vetëm ky ligj por edhe të gjitha ligjet e tjera. Në relacion me trajnimin fillestar, në mes të muajit dhjetor të vitit 2022 pritet të zhvillohet provimi përfundimtar për 59 dëgjuesit të cilët janë pjesë e gjeneratës së shtatë të dëgjuesve të trajnimit fillestar në Akademinë, dhe pas dhënies së suksseshme të provimit, të njëjtit do të përfitojnë statusin kandidatë për gjykatës dhe prokurorë publik dhe në varësi të shpalljeve për zgjedhje të gjykatësve përkatësisht prokurorëve publik të cilët duhet të publikohen nga ana e Këshillit Gjyqësor përkatësisht Këshillit të Prokurorëve publik të RMV-së, do të mundësohet plotësimi i vendeve të zbrazura në gjykatat themelore dhe prokuroritë publike themelore në RMV.

Në fjalimin e tij, zëvendësdrejtori iu referua edhe zbatimit të Programit për trajnim të vazhdueshëm, për problemet që kanë të bëjnë me plotësimin kuadrovik dhe teknik, si dhe sigurimin e kushteve adekuate hapësinore, të cilat janë shumë të rëndësishme në kahje të përparimit të kualitetit të trajnimeve të cilat i zbaton Akademia. Ai po ashtu iu referua edhe buxhetit të AGJPP-së, si dhe nevojës për zgjedhje të drejtorit të Akademisë, duke pasur parasysh që zgjedhja e drejtorit nuk ishte kryer në periudhën e verës, dhe me këtë u humb një mundësi e mirë që Akademia të jetë e shfrytëzuar si shembull pozitiv në relacion të vazhdimësisë së menaxhimit të këtij institucioni të rëndësishëm në drejtësi.

Përfundimet dhe rekomandimet të cilat u nxorrën nga ky diskutim do të jenë pjesë integrale e versionit përfundimtar.