Медијаторите и обучувачите од АСЈО ги унапредуваат своите вештини со помош од холандски партнери (Demo)

Instituti për Politika Evropiane dhe Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik “Pavell Shatev” organizojnë trajnim për trajnuesit për ndërmjetësim, me qëllim që trajnuesit për ndërmjetësim nga Maqedonia e Veriut, aktual dhe të ardhshëm, të trajnohen me metoda dhe shkathtësi nga fusha përkatëse.

Në fjalët hyrëse të trajnimit, drejtoresha e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik, prof. D-r Natasha Gaber Damjanovska theksoi se gjeneratat e reja të gjykatësve dhe prokurorëve publik duhet të njihen me ndërmjetësimin që nga fillimi dhe ndërmjetësimi të përfshihet në procesin e tyre arsimor. Ajo shtoi se ky trajnim është i rëndësishëm me qëllim që ndërmjetësimi të bëhet më i pranishëm në vend, që më shumë konteste të zgjidhen nëpërmjet ndërmjetësimit.

Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Agim Nuhiu tha se Ligji i ri për ndërmjetësim ka në fokus forcimin e integritetit të ndërmjetësuesit. Vetëm personat me integritet dhe me teknika të veçanta ndërmjetësues të miratuara, janë të aftë të ndërmjetësojnë në tejkalimin e një situate specifike kontestuese, por edhe në promovimin dhe pranimin e gjerë të konceptit të ndërmjetësimit në shoqëri.

Drejtoresha e Institutit për Politika Evropiane, Simonida Kacarska theksoi se “Ndërmjetësim, pa dilemë!” është më shumë se një projekt dhe se Instituti e sheh atë si një program për mbështetjen dhe promovimin e ndërmjetësimit në vend.

Ky trajnim mbahet në bashkëpunim me Federatën Holandeze të ndërmjetësuesve, nga ekspertë holandezë për tema dhe aftësi specifike që lidhen me ndërmjetësimin. Ligjëruesi kryesor i trajnimit është z. Jan van Zwitten, Kryetar i Regjistrit Ndërkombëtar të ndërmjetësimit dhe Kryetar i Federatës Holandeze të ndërmjetësuesve. Në fjalën e tij hyrëse, ai tha se ndërmjetësimin nuk e sheh si zgjidhje alternative të kontesteve, por si mënyrë për zgjidhjen e kontesteve paralelisht me procedurat gjyqësore. Sipas tij, një ndërmjetësues duhet të jetë i trajnuar mirë dhe të jetë profesional dhe për këtë është e nevojshme të zotërohen teknikat bazë të ndërmjetësimit, të cilat janë qëllimi i këtij trajnimi pesëditor.

Me qëllim të promovimit të ndërmjetësimit, janë përgatitur një seri infografike me informacione për perceptimin e administratës publike dhe sektorit privat për ndërmjetësimin si mënyrë për zgjidhjen e kontesteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Trajnimi do të zgjasë deri të premten, më 4 mars, dhe organizohet në përputhje me projektin “Ndërmjetësim, pa dilemë!”, të cilin Instituti për Politika Evropiane (IPE) – Shkup e realizon në bashkëpunim me Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik “Pavell Shatev”, Odën e ndërmjetësuesve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Federatën Holandeze të ndërmjetësuesve. Projekti financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shkup.

Tekstin e plotë mund ta shkarkoni në linkun e mëposhtëm:

https://epi.org.mk/post/20472?lang=sq