Trajnim i specializuar multidisiplinar për lëndët nga fusha e mjedisit jetësor, me partnerë nga zinxhiri i drejtësisë penale

4

Në ambientet e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik, më 13 nëntor 2026, u mbajt trajnim njëditor i specializuar multidisiplinar për lëndët nga fusha e mjedisit jetësor, me partnerë nga zinxhiri i drejtësisë penale.

Trajnimi i specializuar u mbajt në kuadër të projektit „Climate and Environmental Justice Convergence in the Western Balkans“ (CEJ Convergence) – i financuar nga AFD dhe i zbatuar nga Expertise France, në bashkëpunim me Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Metodologjia bazohej në një studim praktik të rastit – „Dibra 2026“ (simulim i një ushtrimi koordinues në kohë reale për përballjen me një krizë/incident ekologjik) dhe diskutime multidisiplinare, me qëllim forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë të roleve institucionale, përmirësimin e mekanizmave të koordinimit dhe rritjen e efikasitetit të reagimeve ndaj kundërvajtjeve në mjedisin jetësor.

Ai ishte i dedikuar për gjykatësit, prokurorët publikë dhe përfaqësuesit e institucioneve relevante (Ministria e punëve të brendshme; Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor; Qendra për menaxhim me kriza; Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim; Inspektorati shtetëror i mjedisit jetësor, si dhe organizatat joqeveritare), të cilët veprojnë profesionalisht në rastet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe drejtësinë ekologjike.

Në hapjen e ngjarjes fjalë përshëndetëse mbajti z. Arben Lila, udhëheqës i ekipit të projektit CEJ Convergence, ndërsa trajnimin e zbatoi një ekip ekspertësh i përbërë nga: znj. Joëlle Casanova, prokurore publike/eksperte e projektit CEJ Convergence nga Shkolla Kombëtare e Magjistraturës (ENM) e Francës, z. Ilir Iseni, gjykatës/Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik e Maqedonisë së Veriut, dhe z. Artan Kroma, gjykatës në Gjykatën Themelore në Ulqin, Mali i Zi/ Qendra për trajnime në gjyqësor dhe prokurorinë e shtetit të Malit të Zi.

Pjesa e paradites filloi me ushtrimin praktik simulues – „Dibra 2026“, i bazuar në një incident hipotetik ekologjik, përmes të cilit pjesëmarrësit patën mundësinë të shqyrtojnë fazat e ndryshme të veprimit institucional. Në fazën e parë theksi u vu te zbulimi i incidentit, hetimi dhe reagimi fillestar, pas çka vijoi shqyrtimi i veprimit urgjent dhe menaxhimit të gjendjes së krizës. Vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të incidentit ekologjik, menaxhimit të provave dhe përgjegjësisë institucionale. Përmes skenarit, pjesëmarrësit analizuan kompetencat, detyrimet dhe koordinimin e ndërsjellë të institucioneve në fazat e ndryshme të veprimit.

Në pjesën e pasdites, ushtrimi simulues vazhdoi me ndjekjen e procesit gjyqësor nga perspektiva e të gjithë zinxhirit të drejtësisë penale, ku u përfshinë fazat e hetimit, veprimit prokurorial, seancës gjyqësore dhe marrjes së aktgjykimit. Në këtë mënyrë, pjesëmarrësit patën mundësi t’i ndërlidhin në praktikë procedurat e shqyrtuara paraprakisht dhe të kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve kompetente, duke filluar nga zbulimi dhe dokumentimi i incidentit ekologjik, përmes sigurimit të provave dhe ndjekjes penale, e deri te vendimmarrja gjyqësore.

Trajnimi përfundoi me një analizë të përbashkët të simulimeve të zbatuara, nxjerrjen e konkluzioneve dhe fjalimet përmbyllëse të ekipit të ekspertëve. Në diskutim u përmblodhën sfidat kryesore dhe mundësitë për avancimin e veprimit institucional në rastet që lidhen me krimin ekologjik.

Ushtrimi praktik, i cili në një format të tillë u zbatua për herë të parë në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik, konfirmoi nevojën për shkëmbim në kohë të informacioneve, menaxhim efikas të provave, përgjegjësi të përcaktuara qartë institucionale dhe veprim të koordinuar të të gjithë faktorëve në zinxhirin e drejtësisë ekologjike. Në këtë drejtim, Akademia do të vazhdojë me zbatimin e trajnimeve për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, të cilat paraqesin parakushte kyçe për zbulim, ndjekje penale dhe zgjidhje gjyqësore më efikase të rasteve të cenimit të mjedisit jetësor, e me këtë edhe për mbrojtje më efikase të mjedisit jetësor dhe sundim të së drejtës.