Zëvendësdrejtori i Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik, M-r Ilir Iseni, morri pjesë në konferencën ndërkombëtare “Avancimi i barazisë gjinore përmes trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve” (22-24 prill, Kishinau – Republika e Moldavisë).

Ky event u organizua në kuadër të aktivitetit: “Qasja e grave në drejtësi në Ballkanin Perëndimor” dhe projektit “Qasja e grave në drejtësi: zbatimi i standardeve të Këshillit të Evropës për barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave”, të cilat janë pjesë e programeve të përbashkëta të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Instrumentit horizontal III për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” dhe “Partneritetit për Qeverisje të Mirë”.
Objektivat kryesor të Konferencës ishin: – Forcimi i kapaciteteve të institucioneve të trajnimit gjyqësor; – Identifikimi, shkëmbimi dhe promovimi i praktikave premtuese; – Nxitja e bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe të nxënit nga kolegët; – Mbështetja e kandidatëve të BE-së në përmbushjen e detyrimeve që lidhen me anëtarësimin duke avancuar standardet e harmonizuara të trajnimit mbi barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave.

M-r Ilir Iseni si panelist në panelin “Ndërtimi i partneriteteve për trajnim efektiv të profesionistëve gjyqësorë mbi barazinë gjinore” theksoi se sfida kryesore për barazinë gjinore në gjyqësor nuk është refuzimi i hapur, por një kulturë e rrënjosur e formalizmit ligjor që e sheh ligjin si një “makinë neutrale”. Për të adresuar këtë rezistencë, Akademia për gjykatës dhe prokurorë publikë ka kaluar nga teoritë abstrakte drejt një “Jurisprudencë Klinike”, duke u ofruar profesionistëve mjete konkrete si udhëzuesin për trajtimin e rasteve të femicidit. Ky model siguron që gjykatësit të ndihen të pajisur profesionalisht dhe të kuptojnë se dështimi për të njohur dinamikat gjinore përbën dështim në detyrën e tyre për paanshmëri.
Për sa i përket bashkëpunimit, ai prezantoi modelin e “Punëtorive të integruara multisektoriale” si mënyrën më efektive për të siguruar që zinxhiri i drejtësisë të mbetet i pandërprerë, duke bërë bashkë gjykatësit, prokurorët publik, policinë dhe punonjësit socialë. Një rol kyç luan partneriteti me shoqërinë civile, të cilët veprojnë si bashkë-dizajnues të kurrikulave dhe ofrojnë një “lupë monitorimi” për të identifikuar hendeqet midis trajnimit dhe zbatimit real në sallën e gjyqit. Si rekomandim kryesor, nga ana e zëvendësdrejtorit u propozua krijimin e një trupi të përhershëm monitorimi të bazuar në të dhëna, në përbërjen e së cilit do të jenë Akademia, gjyqësori dhe shoqatat e specializuara nga sektori civil, i cili do të zhvendoste fokusin nga numri i të trajnuarve drejt shkallës reale të mbrojtjes së viktimave.

