Akademia për gjykatës dhe prokurorë publikë, më 7 prill 2026, në ambientet e Akademisë, realizoi një trajnim të dedikuar me temë: “Risitë në Kodin Penal në lidhje me Safe City”, në të cilin morën pjesë gjykatës nga departamentet penale dhe të kundërvajtjeve, si dhe prokurorë publikë nga të gjitha zonat e apelit.
Trajnimin e realizuan: Prof. Dr. Aleksandra Deanoska Trendafilova, profesoreshë në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup, Vaska Nikollovska Masevska, gjykatëse në Gjykatën Themelore Penale në Shkup dhe Elena Zhakula, prokurore publike në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.
Me qëllim rritjen e sigurisë në fushën e trafikut, gjatë vitit 2025 filloi të zbatohet projekti ndërinstitucional “Safe City”, i cili u zhvillua në disa segmente: ndryshimi i disa ligjeve dhe një numri të madh aktesh nënligjore, sigurimi i infrastrukturës së përshtatshme teknike dhe rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve për këtë çështje. Me ndryshimet ligjore u bë një dallim i qartë ndërmjet kundërvajtjeve në trafik dhe veprave penale në trafik, përmes ndryshimeve në Ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor, Ligjin për kundërvajtjet, Kodin Penal dhe akte të tjera.
Sa i përket Kodit Penal, është ndërhyrë në inkriminimin nga neni 297-a – drejtimi i pakujdesshëm (i pamatur) i mjetit motorik; përcaktimi ligjor i dënimeve është rishikuar pothuajse për të gjitha veprat penale në trafik, ndërsa është paraparë edhe shqiptimi i detyrueshëm i dënimit plotësues – ndalimi i drejtimit të mjetit motorik, si dhe konfiskimi i detyrueshëm dhe fakultativ i mjetit motorik nga kryerësit e delikteve në trafik, nën kushte të caktuara ligjore, si një masë e veçantë penalo-juridike.

Me vendosjen e “Safe City”, praktikisht filloi edhe një epokë e re në sigurinë e trafikut. Hapat e parë dhe kundërvajtjet e para që i detekton ky sistem kanë për qëllim të ndikojnë në parandalimin e përgjithshëm në fushën e sigurisë në trafik dhe, rrjedhimisht, të ndryshojnë sjelljen e pjesëmarrësve në të.
Zbatimi i “Safe City” dhe ndryshimet ligjore që pasuan përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit juridik dhe përmirësimit të sigurisë në Maqedoni. Në këtë drejtim, dhe sidomos duke pasur parasysh këto risi, hapen çështje të rëndësishme lidhur me incizimet video nga kamerat e sigurisë, vlefshmërinë e tyre juridike dhe përdorimin në procedurat penale si prova, verifikimin e autenticitetit të tyre, si dhe afatin kohor deri kur mund të ruhen në sistem.
Roli i prokurorisë në këtë segment është i një rëndësie të veçantë, pasi ekziston mundësia e ndjekjes së veprave penale të zbuluara përmes sistemit “Safe City”, në të cilat procedura do të përdoren të dhënat dhe incizimet e siguruara. Prandaj, theks i veçantë duhet t’i vihet edhe bashkëpunimit ndërinstitucional, para së gjithash ndërmjet prokurorisë publike, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe gjykatave, me qëllim sigurimin e mbledhjes, ruajtjes dhe paraqitjes së duhur të provave të marra përmes këtyre sistemeve, si dhe përdorimin e tyre të rregullt procedural.
Sfidat konkrete në zbatimin e zgjidhjeve të reja ligjore të parashikuara në ndryshimet ligjore në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt (Safe City)”, me të cilat përballen gjykatësit që veprojnë në çështje penale dhe kundërvajtëse. Në këtë drejtim, theks i veçantë vihet në kualifikimin e drejtë të veprave sipas ndryshimeve të Kodit Penal, veçanërisht në aspektin e dallimit ndërmjet kundërvajtjeve në komunikacion dhe veprave penale. Çështjet që lidhen me shqiptimin e detyrueshëm të masës ndalim për drejtimin e mjetit motorik në përputhje me nenin e ri 300-a, kushtet për konfiskimin e mjetit motorik në kuptim të nenit 300-b, si dhe aspektet procedurale të përdorimit të materialit provues të siguruar përmes sistemit “Safe City”, përfshirë video-incizimet nga kamerat, vlefshmërinë e tyre juridike dhe mënyrën e trajtimit të tyre gjatë procedurës penale, janë me rëndësi të veçantë. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe zbatimit intertemporal të ndryshimeve në raport me veprat e kryera para hyrjes në fuqi të zgjidhjeve të reja ligjore. Zbatimi efikas dhe i qëndrueshëm i ndryshimeve ligjore në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt (Safe City)” kërkon një qasje të harmonizuar të të gjithë aktorëve në sistemin e drejtësisë — gjykatësve, prokurorëve publikë dhe policisë — me qëllim që ligji të zbatohet në dobi të sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Pjesëmarrësit në trajnim u njohën me këto risi, si dhe me implikimet e mundshme që pritet të kenë ato në praktikën gjyqësore. Përmes diskutimit interaktiv dhe shkëmbimit të përvojave, pjesëmarrësit patën mundësi të thellojnë njohuritë e tyre dhe të shqyrtojnë aspektet praktike të zbatimit të zgjidhjeve të reja ligjore, duke kontribuar kështu në një veprim më efikas dhe më të harmonizuar në të ardhmen.
Ky trajnim u përqendrua në një temë jashtëzakonisht aktuale, çka është dëshmi se Akademia në mënyrë të vazhdueshme i ndjek risitë ligjore dhe i identifikon me kohë nevojat e gjykatësve dhe prokurorëve publikë. Një tregues tjetër në këtë drejtim është edhe interesi i madh i pjesëmarrësve, i cili tregon për nevojën e edukimit të vazhdueshëm në këtë fushë. Kjo qasje kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në avancimin e cilësisë së sistemit gjyqësor.

