Njoftim në lidhje me denoncimin ndaj Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik “Pavell Shatev” pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për shkelje të Kodit Zgjedhor

logo_asjo_news_mk

Të nderuar,

Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publik është e detyruar të reagojë në lidhje me spekulimet që dalin në opinion për të politizuar dhe diskredituar në mënyrë të panevojshme procesin e pranimit të dëgjuesve të gjeneratës së IX në trajnimin fillestar në Akademi.

Akademia është një institucion i themeluar në vitin 2006, i cili ka përvojë të gjerë në realizimin e procedurave për pranimin e dëgjuesve në trajnimin fillestar, duke përfshirë procedurën e pranimit në një periudhë kur shteti ishte në proces zgjedhor.

Akademia, e udhëhequr nga parimet e Sundimit të ligjit si vlerë themelore e rendit Kushtetues të RMV, e mbështet punën e saj ekskluzivisht në Kushtetutën dhe ligjet në vend, me ndihmën e të cilave krijoi reputacionin e një institucioni, rezultatet e punës së të cilës njihen ndër të tjera dhe nga Bashkimi Evropian duke theksuar Akademinë si një pikë të ndritshme në gjyqësorin në RMV.

Në të kaluarën, kur kishte dilemë lidhur me përputhshmërinë e një veprimi të caktuar me Kodin Zgjedhor, Akademia i drejtohej Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) me kërkesë për opinion. Mirëpo, duke pasur parasysh se sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit të vitit 2019 („Gazeta Zyrtare e RM“, numër 12/2019) KSHKP nuk jep më opinione për kërkesat e dorëzuara në lidhje me mënyrën e veprimit gjatë periudhës zgjedhore, Akademia vepron sipas praktikës së vendosur më parë nga KSHKP.

Gjegjësisht, në vitin 2017, në procedurën e pranimit të gjeneratës së VI në trajnimin fillestar, Akademia ishte në një situatë të ngjashme (shpallja publike për pranimin e gjeneratës së VI zgjati rreth dy vjet për shkak të kompleksitetit të provimit i cili kryhet në disa faza dhe përfundimi i procedurës gjyqësore administrative). Akademia e publikoi konkursin në atë kohë në vitin 2015, ndërsa dëgjuesit nënshkruan kontratat e punës më 01.03.2017. Duke qenë se gjatë asaj periudhe shteti ishte në një proces zgjedhor, Akademia iu drejtua KSHKP me kërkesë për opinion nëse ka ndonjë pengesë ligjore për zbatimin e punësimit me afat të caktuar (për kohëzgjatjen e trajnimit fillestar dhe deri në përzgjedhjen e kandidatit për gjykatës apo prokurorë publik).

KSHKP ka dorëzuar në Akademi opinionin numër 12-1637/2 nga 24.02.2017, ku thuhet se: ,,…. nuk ka asnjë pengesë ligjore për zbatimin e procedurës së nisur për punësimin me afat të caktuar të 37 dëgjuesve trajnimin fillestar në AGJPP … nëse për këto punësime është siguruar aprovimi financiar për vitin 2017 dhe janë punësime në raste të shpejta dhe urgjente”.

Për të vërtetuar ligjshmërinë e procedurës, Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP), duke vepruar sipas Konkluzionit të Qeverisë, ka kryer një inspektim të jashtëzakonshëm lidhur me këto punësime, gjatë të cilit ka inspektuar të gjithë dokumentacionin që nga shpallja e konkursit deri në regjistrimin e dëgjuesve, pas së cilës është konstatuar se pas këqyrjes së përgjithshme të dokumentacionit të nevojshëm është përcaktuar se për të gjitha veprimet e ndërmarra për realizimin e këtyre punësimeve ka mendime nga KSHPK (numër 12-467/2 nga 23.01.2017 dhe numër 12-1637/2 nga 24.02.2017) dhe pëlqimet nga Ministria e Financave si dhe ripërtëritja e të njëjtës për shkak të zgjatjes së procedurës, kështu që Inspektorati Shtetëror i Punës nuk ka konstatuar shkelje në regjistrimin e 37 kandidatëve në Agjencinë e punësimit të RMV.

Në rastin konkret, është një situatë e ngjashme si në vitin 2017, me dallimin se tani, edhe me respektimin më të rreptë të Dinamikës së re kohore, nuk ka absolutisht asnjë mundësi për të arritur në fazën e krijimit të një marrëdhënie pune me dëgjuesit gjatë periudhës zgjedhore.

Në vijim, ne ofrojmë një përmbledhje të shkurtër të fazave të provimit aktual pranues për dëgjuesit e gjeneratës së IX në trajnimin fillestar:

  • njoftimi publik për pranimin e 130 dëgjuesve është publikuar në janar 2023;
  • dhënia e testit për njohjen e njërit nga tre gjuhëve më të përdorura në BE (anglisht, frëngjisht ose gjermanisht) në maj 2023;
  • ndërprerja e procedurës për shkak të miratimit të Ligjit të ri për Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik („Gazeta Zyrtare e RMV”, nr. 129/2023) i cili parashikonte ndryshimin e rendit dhe mënyrës së dhënies së pjesëve të provimit të pranimit;
  • pas kryerjes së testit psikologjik dhe testit të integritetit në tetor dhe nëntor 2023, Akademia u përball me një pengesë të re për dhënien e testit të kualifikimit – kontrata për prokurimin publik në grup për kryerjen e shërbimeve për mirëmbajtjen e softuerëve për dhënien e provimeve në institucionet shtetërore kishte skaduar. Akademia nuk ka pasur mundësi që provimin ta zhvillojë në mënyrë elektronike, pas së cilës janë iniciuar ndryshime ligjore në drejtim të mundësimit të dhënies në letër të testit të kualifikimit;
  • në mars të vitit 2024 u miratuan ndryshimet në Ligjin për Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik („Gazeta Zyrtare e RMV”, numër 53/24), dhe pas hyrjes së tyre në fuqi u miratua Vendimi statutor për plotësimin e Statutit të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik “Pavell Shatev” („Gazeta Zyrtare e RMV”, numër 62/24) dhe Rregullorja për plotësimin e Rregullores për dhënien e provimit pranues në Akademi;
  • në mars 2024, Komisioni për provimin pranues përcaktoi një Dinamikë të re kohore për zbatimin e pjesës së mëtejshme të provimit pranues, sipas së cilës testi i kualifikimit është planifikuar të zhvillohet në periudhën nga 1 deri më 4 prill 2024.

Nga e gjitha e thënë më sipër, është thelbësore të kihet parasysh se në këtë rast nuk bëhet fjalë për krijimin e një marrëdhënie pune, por për zbatimin e fazave të provimit pranues në kuadër të trajnimit fillestar.

Institucionet të cilat në kuadër të veprimtarisë së tyre zhvillojnë provime si provimi për noterinë, provimi i jurisprudencës, provimi për përmbarues, provimet e fakulteteve dhe të tjera, vazhdojnë me aktivitetet e tyre të rregullta edhe gjatë periudhës zgjedhore. Nga Dinamika e re kohore e publikuar, e cila ishte arsyeja e denoncimit të dorëzuar në KSHPK, mund të shihni aktivitetet e mëtejshme të Akademisë për realizimin e pjesës së mëtejshme të provimit pranues, si dhe në njoftimin e Komisionit për provimin pranues të Akademisë e publikuar në faqen e Akademisë më 18.03.2024, thuhet qartë se periudha më e hershme në të cilën kandidatët mund të pritet të lidhin kontratë pune me Akademinë është muaji shtator. Për më tepër, thjesht vendosja e një marrëdhënie pune me afat të caktuar me Akademinë nuk garanton marrjen e pozicionit të gjykatësit/prokurorit publik. Përkatësisht, me marrjen e statusit të dëgjuesit në trajnimin fillestar në Akademi, dëgjuesi krijon marrëdhënie pune me afat të caktuar me Akademinë për periudhën e zhvillimit të trajnimit fillestar deri në përzgjedhjen për gjykatës ose prokurorë publik. Dëgjuesit, pas pranimit në trajnimin fillestar, akoma vazhdojnë të japin provime në kuadër të mësimdhënies teorike dhe nëse e kalojnë me sukses, ndjekin mësimin praktik, i cili gjithashtu vlerësohet. Në fund, dëgjuesit që kanë kaluar me sukses mësimin teorik dhe praktik i nënshtrohen provimit përfundimtar. Fakti që pranimi në trajnimin fillestar nuk garanton një pozicion, dëshmohet nga përvoja e deritanishme e Akademisë, se jo të gjithë kandidatët e pranuar në trajnimin fillestar e përfundojnë me sukses atë, aq më tepër që Ligji për AGJPP parashikon detyrimin për të rimbursuar të gjithë shpenzimet e bëra nga Akademia për arsimimin e kandidatit që nuk do të përfundojë me sukses mësimin teorik, mësimin praktik ose nuk do të kalojë provimin përfundimtar.

Njëkohësisht, theksojmë se kandidatët të cilët janë të pakënaqur me rrjedhën dhe rezultatin e provimit pranues kanë mundësi të ngrenë një kontest administrativ pranë Gjykatës Administrative, e cila siguron një garanci shtesë që zhvillimi i provimit pranues të kryhet në përputhje me normat ligjore.

Sipas të gjitha fakteve të mësipërme, Akademia pret që KSHPK të qëndrojë konsistente me udhëzimet e veta, duke ruajtur praktikën e vendosur dhe gjithashtu me këtë rast t’u tregojë të gjithë kandidatëve që kanë të drejtë t’i nënshtrohen testit të kualifikimit, që të mos lejojnë këto zhvillime të devijojnë fokusin e tyre nga përgatitja për dhënien e testit.