LIGJERATË PËR KONTESTET KLIMATIKE PARA KËSHILLIT TË SHTETIT TË FRANCËS PËR DËGJUESIT E PROGRAMIT TË TRAJNIMIT FILLESTAR NË AKADEMI

IMG-4b3b2cac0ec5744d6cad96c52a5fb172-V

Sot (27.09.2022) në ambientet e “Europe House”, Shkup, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Akademisë dhe Ambasadës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u mbajt ligjëratë mbi kontestet klimatike para Këshillit Shtetëror të Francës që është caktuar për dëgjuesit e programit të trajnimit fillestar në Akademi.

Ligjërata u mbajt nga eksperti francez Yves Gounen, këshilltar shtetëror dhe delegat për marrëdhënie ndërkombëtare, ndërsa ngjarja u hap me një fjalë përshëndetëse për të pranishmit nga drejtori i Institutit Francez, Hugo Bestel, dhe drejtoresha e Akademisë, prof. Dr. Natasha Gaber Damjanovska.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Akademisë theksoi rëndësinë e temës së sotme, që paraqitet si një nga prioritetet kryesore të BE-së, por edhe më gjerë, e që sigurisht është mbrojtja e mjedisit, pra edhe e kontesteve klimatike. Sipas saj, mbrojtja e mjedisit është një sfidë globale që paraqet shkak për grumbullime më të shpeshta të ekspertëve në mbarë botën, të cilët po përpiqen të gjejnë mekanizmat më të mirë për të mbrojtur shëndetin e njeriut dhe mjedisin në të cilin jetojmë. Nevojitet një bashkëpunim i gjerë dhe i vazhdueshëm ndërmjet të gjithë përbërësve shoqëror për të përballuar këtë sfidë në mënyrën e duhur. Nevojitet një kornizë ligjore që do të garantojë të drejtat e garantuara të njeriut me Kushtetutë, për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm. Që e gjithë kjo të jetë e suksesshme duhen mjete ligjore që do të zbatohen në atë mënyrë që do të sjellin rezultate të dukshme dhe për këtë arsye drejtoresha e Akademisë, prof. Dr. Natasha Gaber Damjanovska, shprehu shpresën se përvojat franceze do të japin një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes së gjykatësve dhe prokurorëve publik të ardhshëm në lidhje me këto çështje.

Tendencat globale dhe evropiane në lidhje me temën, si dhe përvojat e Francës në drejtim të luftës kundër ndryshimeve klimatike, u prezentuan nga eksperti francez, i cili theksoi se “Ka shumë rrugë, militante, politike apo ligjore – të gjitha të papërsosura – përmes të cilave shtetet mund të detyrohen të veprojnë: një prej tyre janë proceset gjyqësore që OJQ-të, qytetarët dhe shoqatat kanë filluar ti hetojnë kohëve të fundit. Kështu, që nga fillimi i viteve 2000, në mbarë botën janë hapur konteste të shumta klimatike; ashtu që viteve të fundit numri është rritur, sidomos në Evropë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Parisit.

Kjo “drejtësi klimatike” shoqëron lëvizjen më të përgjithshme të decentralizimit të luftës kundër ndryshimeve klimatike, e cila nuk zhvillohet vetëm në arenën ndërkombëtare, por gjithnjë e më shumë edhe në nivelet lokale dhe shtetërore. Marrëveshjet ndërkombëtare janë të vlefshme dhe sigurisht të nevojshme për të zgjidhur një problem të natyrës globale. Por meqenëse drejtësia globale mjedisore aktualisht mungon, zgjidhjet ligjore kërkohen para gjykatave kombëtare ose, kur bëhet fjalë për Evropën, ato rajonale, si Gjykata Evropiane e Drejtësisë dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë kontekst, sistemet nacionale të drejtësisë e gjejnë veten në një farë mënyre të vendosur në konkurrencë. Paditësit dyfishojnë kreativitetin e tyre për të përshtatur argumentet e tyre me specifikat procedurale dhe kulturore të gjykatave, të cilat nga ana e tyre i kushtojnë vëmendjen më të madhe veprimeve të ekuivalentëve të tyre të huaj. Të nxitur nga guximi, ndonjëherë të ngushëlluar nga kujdesi, ata vështrojnë me kujdes teksa këta gjykatës të tjerë kapërcejnë – ose jo – pengesat e natyrshme në kontestet klimatike. Sepse lufta kundër ndryshimeve klimatike vë në provë sistemet e institucioneve në demokracitë tona, të cilat, secila me kufizimet e veta, përpiqen të gjejnë zgjidhje që jo vetëm u përmbahen rekomandimeve të shkencëtarëve, por janë edhe të pranueshme për popullatën.

Ligjërata e sotme është pjesë e serisë së aktiviteteve që parashihen me memorandumin e ri për bashkëpunim që u nënshkruajt nga drejtoresha e Akademisë, prof. Dr. Natasha Gaber Damjanovska dhe SH.T. Siril Baumgartner, ambasadori i Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, qëllimi i të cilit është forcimi i gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut.