Në periudhën prej 12 deri më 16 shtator 2022, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Akademisë dhe Rrjetit Evropian të Trajnimit Gjyqësor (EJTN), zëvendësdrejtori i Akademisë, gjykatës Ilir Iseni ishte pjesë e programit për shkëmbim të EJTN-së dhe vizitoi Shkollën Kombëtare Juridike e cila ndodhet në Selanik, Greqi.
Zëvendësdrejtori, gjykatës Iseni dhe përfaqësues të disa vendeve nga BE-ja dhe rajoni duke përfshirë: Lituaninë, Estoninë, Hungarinë, Rumaninë, Republikën Çeke, Poloninë, Belgjikën, Bullgarinë dhe Bosnje-Hercegovinën të cilët morën pjesë në këtë shkëmbim, patën mundësinë të njihen me sistemin gjyqësor të Republikës së Greqisë, të vizitojnë disa institucione gjyqësore, të njihen me organizimin dhe strukturën e Shkollën Kombëtare Juridike, por edhe të shkëmbejnë përvoja me kolegët e tyre, gjykatës dhe prokurorë publik nga të gjitha shkallët për tema të rëndësishme në fushën e drejtësisë, gjyqësisë dhe të drejtës së BE-së.
Pjesëmarrësve u dëshiroi mirëseardhje drejtoresha e sapozgjedhur e Shkollës Kombëtare Juridike, znj. Anastasia Papadopoulou, e cila së bashku me edukatorët e shkollës prezentoi shkollën, organizimin e saj, vendosjen e shkollës në sistemin e drejtësisë greke, dhe njëkohësisht u njoftuan me kushtet për hyrjen në trajnimin fillestar të Shkollës. Në këtë takim, me edukatorët e pranishëm të shkollës u diskutua për sistemin e drejtësisë në Greqi, ku pastaj secili përfaqësues prezentoi sistemin e drejtësisë së vendit nga vjen. Kjo Shkollë është e ngjashme me Akademinë tonë, por ka edhe shumë dallime interesante që parashtrohen si zgjidhje pozitive dhe që lënë hapësirë për shqyrtim të mëtejshëm, në drejtim të përmirësimit të programit të trajnimit fillestar në Akademi.
Pjesëmarrësit vizituan Shtëpinë e Gjykatës (Court House) në Selanik, në të cilën ndodhen Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit, Prokuroria Publike e Shkallës së Parë dhe Prokuroria Publike e Shkallës së Dytë, pastaj Gjykatat Administrative të Selanikut (Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe Gjykata Administrative e Apelit), si dhe Departamentin për Greqinë e Veriut – hetimet penale në Policinë e Greqisë.
Në bisedat me kolegët e tyre, gjykatës dhe prokurorë publik, u shkëmbyen përvoja në lidhje me kompetencat e këtyre institucioneve gjyqësore, dallimet dhe ngjashmëritë me institucionet gjyqësore të vendeve pjesëmarrëse, dhe në të njëjtën kohë u diskutua dhe për zgjidhjet të cilat vihen në dispozicion të gjykatësve dhe prokurorëve publik në tejkalimin e mangësive me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme.
Si pjesë e këtij shkëmbimi ishte organizimi i seminarit – Drejtësi e përshtatur për çdo fëmijë, duke iu kushtuar një teme mjaft aktuale, migrimit, me fokus migrimin për të miturit, ku pati prezentime nga dy gjykatës grek, të cilët veprojnë me çështje të kësaj natyre, si dhe organizimi i një gjykimi simulues, për të njëjtën temë.
Për pjesëmarrësit u organizua edhe një vizitë në Vergina (varri i lashtë i familjes mbretërore).
Vizita që përfundoi më 16 shtator 2022 rezultoi jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve gjyqësore, veçanërisht për ata që janë përgjegjës për zhvillimin e trajnimeve gjyqësore. Shembujt dhe zgjidhjet pozitive që u diskutuan dhe u prezantuan hapën mundësi të reja që do të nënkuptojnë përmirësimin jo vetëm të punës së institucioneve të drejtësisë, por të gjithë sistemit të drejtësisë. Natyrisht, secila prej këtyre zgjidhjeve duhet të pasqyrojë situatën aktuale me legjislacionin nacional dhe të jetë në përputhje me legjislacionin vendas. Të gjithë pjesëmarrësit e vlerësuan programin si shumë të dobishëm, jo vetëm nga aspekti i shkëmbimit të përvojave, por edhe për shkak të mundësisë unike për rrjetëzimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet përfaqësuesve të vendeve të ndryshme që morrën pjesë në këtë program.