
Më 21.08.2024, zëvendësdrejtori i Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik, M-r Ilir Iseni, ka mbajtur takim pune me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, Elena Jovanovska – Brezoska, udhëheqëse e Departamentit të Evropës Juglindore dhe Irena Cuculoska Jakimovska, menaxhere e lartë e projektit, me rastin e trajnimit të ardhshëm të trajnerëve për nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilin Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik do ta mbajë më 14 dhe 15 tetor 2024, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Në takim u theksua rëndësia e madhe e këtij trajnimi dhe nevoja që në të ardhmen ligjëruesit të trajnojnë gjykatës dhe prokurorë të tjerë me njohuritë e marra nga trajnimi, ndërsa zëvendësdrejtori i AGJPP-së theksoi se AGJPP do të bëjë përpjekje që në mënyrë të pavarur të zhvillojnë trajnime për këtë temë në të ardhmen.
Po ashtu, u përmend edhe mundësia e një bashkëpunimi të ardhshëm mes Këshillit të Evropës dhe Akademisë në kuadër të një projekti të ri për mbështetje të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në kuadër të projekteve të tjera dhe për realizimin e trajnimeve ad hoc për tema të lidhura me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Zëvendësdrejtori theksoi rëndësinë e aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe nevojën për implementimin e tyre efikas në sistemin juridik të RMV-së. Ai informoi përfaqësuesit e Këshillit të Evropës se Akademia do të mbetet një partner i rëndësishëm dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe të mbështesë të gjitha aktivitetet që realizon Këshilli i Evropës dhe që kanë për qëllim avancimin e efikasitetit të sistemit të drejtësisë.