Gjykatësit dhe prokurorët publikë forcuan aftësitë e tyre për zbatimin e standardeve evropiane në kuadër të ligjit kombëtar për një mbrojtje më të fortë nga gjuha e urrejtjes.

Naslovna 1

Gjykatësit, gjykatëset dhe prokurorët publikë kanë një rol thelbësor në përpjekjet për t’u kundërvënë gjuhës së urrejtjes, veçanërisht gjatë procedimit në lëndët që lidhen me këtë fenomen. Për t’i ndihmuar prokurorët publikë, gjyqtarët dhe gjyqtaret në Maqedoninë e Veriut të përballen më efikasitet me gjuhën e urrejtjes, në Shkup u mbajt një trajnim për forcimin e kapaciteteve, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës. Trajnimi kishte për detyrë të thellonte njohuritë e tyre për standardet evropiane në luftën kundër gjuhës së urrejtjes në kuadër të rregullativës ligjore vendore dhe harmonizimin me këto standarte.

Gjithsej 33 gjykatës, gjykatëse dhe prokurorë publikë nga Maqedonia e Veriut patën mundësinë të diskutojnë dhe të zgjerojnë kuptimin e tyre për njohjen e gjuhës së urrejtjes dhe për nivelet e ndryshme të procesimit të saj, në varësi të peshës së saj.

Gjatë seancave, pjesëmarrësit i shqyrtuan praktikat gjyqësore të Gjykatës Evropiane Për të Drejtat e Njeriut në fushën e gjuhës së urrejtjes, rekomandimi i Komitetit të Ministrave për trajtimin e gjuhës së urrejtjes, si dhe çështje kyçe nga kuadri ligjor i brendshëm i Maqedonisë së Veriut.

Diskutimi theksoi rëndësinë e interpretimit dhe zbatimit të saktë të standardeve evropiane gjatë balancimit mes lirisë së shprehjes dhe trajtimit të rasteve të gjuhës së urrejtjes serioze. Pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset diskutuan dhe ndanë pikëpamjet e tyre edhe për sfidat me të cilat përballen në raste të tilla, veçanërisht në dallimin mes fjalës fyese apo provokative, e cila është e mbrojtur, si dhe shprehjeve që paraqesin nxitje të urrejtjes apo dhunës, e në disa raste edhe krimit nga urrejtja.

Gjatë takimit, përmes analizës interaktive të rasteve konkrete, pjesëmarrësit hulumtuan se si arsyetimi gjyqësor duhet të vlerësojë me kujdes kontekstin, qëllimin dhe dëmin e mundshëm – veçanërisht kur bëhet fjalë për gjuhën e drejtuar ndaj grupeve të cenueshme.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit Lufta kundër urrejtjes dhe intolerancës në Maqedoninë e Veriut, pjesë e programit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës Instrumenti horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në bashkëpunim me Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik.