Ngjarje me rastin e lansimit të Projektit për Konvergjencë të Drejtësisë Klimatike dhe Mjedisore në Maqedoninë e Veriut

Slika 1

Expertise France, me mbështetjen financiare të Agjencisë për Zhvillim të Republikës së Francës (AFD), më 19 shkurt 2025, organizoi një ngjarje me rastin e lansimit të Projektit për Konvergjencë të Drejtësisë Klimatike dhe Mjedisore në Maqedoninë e Veriut. Ngjarja u mbajt në Shtëpinë e BE-së në Shkup dhe morën pjesë më shumë se 30 ekspertë të cilët punojnë në këtë fushë dhe të cilët mbështesin përpjekjet e Agjencisë për realizimin e suksesshëm të këtij projekti.

Akademia e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë është përfituese e drejtpërdrejtë e këtij Projekti së bashku me Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë, si institucione kompetente për realizimin e formimit profesional gjyqësor.

Në këtë ngjarje, Akademia u përfaqësua nga zëvendësdrejtori i Akademisë, gjyqtari M.r Ilir Iseni, i cili shfrytëzoi rastin të falënderojë dhe të shprehë kënaqësinë e tij që Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë do të jetë një nga përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij projekti, nga i cili përfitim të drejtpërdrejtë do të kenë jo vetëm gjyqtarët dhe prokurorët publikë, por edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Përkatësisht, qëllimi i këtij projekti është të forcojë aksesin në drejtësinë mjedisore dhe pjesëmarrjen efektive të publikut në çështjet mjedisore në Ballkanin Perëndimor, të gjitha me qëllim të harmonizimit të kornizave ligjore kombëtare me standardet evropiane në përputhje me Konventën e Aarhus-it.

Projekti do të përfshijë tre komponentë: qasjen në drejtësinë mjedisore, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore dhe angazhimin e qytetarëve në drejtësinë mjedisore.

Nën moton: “Mjedisi takohet me drejtësinë”, ky projekt përmes një sërë aktivitetesh, të cilat duhet të realizohen deri në fund të nëntorit 2026, do të tentojë të lidhë praktikuesit ligjorë nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, dhe së bashku, përmes edukimit, të avancojnë dhe të ndërgjegjësojnë për drejtësinë mjedisore.