
Me iniciativë të misionit ekspert që është pjesë e Projektit të Expertise France për mbështetjen e iniciativave kundër korrupsionit, me fokus në mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 19 maj 2025, në hapësirat e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik, zëvendësdrejtori i Akademisë, gjykatësi Mr. Ilir Iseni, zhvilloi një takim pune me delegacionin e përbërë nga znj. Helena Papa, eksperte afatgjatë për transparencë dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit financiar, znj. Lise Chipault, gjykatëse në Republikën e Francës dhe anëtare e Byrosë së GRECO-s, dhe znj. Aneta Arnaudovska, eksperte kombëtare për sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin.
Qëllimi i misionit është të realizojë një analizë të gjendjes dhe mekanizmave për parandalimin e korrupsionit dhe ndërtimin e integritetit të gjykatësve, në drejtim të hartimit të një Programi dhe Plani të Veprimit për parandalimin dhe monitorimin e korrupsionit në gjyqësor për periudhën 2026–2029.
Në takim u shqyrtuan mundësitë dhe segmentet në të cilat Akademia mund dhe duhet të përfshihet, duke pasur parasysh para së gjithash rolin e saj në sistemin gjyqësor të RMV-së, si dhe bashkëpunimin institucional me Këshillin Gjyqësor të RMV-së, i cili është vendosur me sukses që nga themelimi i Akademisë e deri më sot.
Zëvendësdrejtori, gjykatësi Mr. Ilir Iseni, e shprehu gatishmërinë e Akademisë për të mbështetur realizimin e këtij projekti dhe theksoi se përfshirja dhe bashkëpunimi i të gjitha institucioneve relevante do të jenë me rëndësi thelbësore për përgatitjen e një Programi dhe Plani të Veprimit, i cili nuk do të jetë vetëm një nga shumë dokumentet e shkruara që nuk kanë parë dritën e zbatimit në praktikë, por do të nxjerrë udhëzime dhe rekomandime të zbatueshme për sistemin gjyqësor të RMV-së.
Në këtë drejtim, ai prezantoi trajnimet e realizuara dhe ato në vijim mbi tema të lidhura me faktorët kyç në luftën kundër korrupsionit në gjyqësor gjatë periudhës 2022–2025. Duke marrë parasysh gjendjen në vendin tonë lidhur me çështjen e korrupsionit dhe parandalimin e tij, u theksua nevoja për t’i kushtuar vëmendje të veçantë dhe ekspertizë të thelluar hartimit të këtyre dokumenteve të rëndësishme.
Në fund, zëvendësdrejtori i Akademisë shprehu falënderime ndaj misionit ekspert për njohjen e rolit të Akademisë dhe kontributit të saj në zhvillimin e gjyqësorit, veçanërisht në zbatimin e një lufte efikase kundër korrupsionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.