Më 18 shkurt 2026, në ambientet e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publikë, drejtoresha e Akademisë, Irina Trajkoska Strezoski, zhvilloi një takim me ambasadorët e Republikës së Francës, Shkëlqesia e tij Kristof Le Rigol, dhe Republikës Federale të Gjermanisë, Shkëlqesia e saj Petra Dreksler, e cila shoqërohej nga përfaqësuesi i Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, Kevin Mas.
Në kuadër të BE-së, Republika e Francës dhe Republika Federale e Gjermanisë kanë bashkëpunim të shkëlqyer, ndërsa interesi i tyre i përbashkët, ndër të tjera, është funksionimi dhe përfshirja e të gjitha institucioneve në sistemin gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut si tërësi.
Në fokus të ambasadorëve të të dyja shteteve janë të gjitha temat aktuale që kanë ndikim të rëndësishëm në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane. Procesi reformues në gjyqësor është një nga proceset kyçe, ndërsa Akademia ka një rol qendror në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut; rrjedhimisht, ata shprehën interes të veçantë për proceset aktuale që po zhvillohen në Akademi.
Ambasadorët theksuan se po e ndjekin gjendjen në këtë sektor dhe se janë të njohur me sfidat me të cilat përballen institucionet e drejtësisë në shtet.
Drejtoresha e Akademisë i falënderoi për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre, duke theksuar se aktualisht ajo që është kyçe për gjykatat dhe prokuroritë publike, si dhe për Akademinë, është sigurimi i mjeteve financiare, burimeve njerëzore dhe hapësirave të përshtatshme.
Sipas saj, nëse duam institucione funksionale, duhet t’i kemi mjetet bazë për punë. Gjithnjë e më shumë punonjës po i braktisin pozitat administrative në gjykata dhe prokurori publike, dhe kjo paraqet një situatë serioze për të cilën duhet të gjendet një zgjidhje.
Në lidhje me Akademinë, drejtoresha i informoi ambasadorët se aktualisht po punohet në miratimin e një Projekti Ligji për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publikë, me të cilin pritet të tejkalohen mangësitë e vërejtura në zbatimin e trajnimit fillestar. Ajo po ashtu tha se ky ligj ndodhet në fazën përfundimtare dhe se, si kryetare e grupit punues, po përpiqet që ai të përpilohet sa më shpejt të jetë e mundur.
Për pyetjen e ambasadorëve lidhur me tejkalimin e mungesës së gjykatësve dhe prokurorëve publik, e cila lidhet drejtpërdrejt me aktivitetin e Akademisë, drejtoresha e Akademisë e theksoi pikërisht Ligjin e ri si një zgjidhje pozitive. Ajo i informoi ambasadorët se me këtë ligj, Akademia do të zhvillojë trajnimin fillestar çdo vit.
Ajo pret që deri në fund të muajit mars 2026 ky Ligj të miratohet, dhe që tashmë muajin e ardhshëm të shpallet konkursi për pranimin e një gjenerate të re dëgjuesish në trajnimin fillestar.
“Hapi i parë është miratimi i këtij Ligji, më pas, pjesa administrative besoj se do të realizohet me sukses,” – shtoi drejtoresha. Për Akademinë, në lidhje me trajnimin fillestar, një sfidë e madhe paraqesin kapacitetet hapësinore të institucionit, të cilat aktualisht nuk janë të përshtatshme për këtë qëllim, por si një institucion serioz dhe profesional, Akademia do të përpiqet të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme.
Drejtoresha e Akademisë i informoi ambasadorët se beson fuqishëm në mbështetjen e Qeverisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë për përfundimin e suksesshëm të këtij procesi.
Ambasadorët e Francës dhe të Gjermanisë gjithashtu ishin të interesuar për cilësinë e fakulteteve juridike në vend, dmth për cilësinë e mësimdhënies së tyre. Ata nënvizuan se trajnimi i gjykatësve dhe prokurorëve ka rëndësi dhe ndikim të madh në tërë shoqërinë. Drejtoresha, Trajkoska Strezoski, theksoi se fakultetet juridike në vend ofrojnë një bazë të qëndrueshme juridike mbi të cilën ndërtohen gjykatësit dhe prokurorët e ardhshëm.
Në fund të takimit, ambasadorët i dhanë mbështetjen e tyre drejtoreshës së Akademisë dhe vetë institucionit. Sipas tyre, “pritshmëritë janë shumë të mëdha në këtë moment, si nga drejtoresha, ashtu edhe nga vetë institucioni”.

