Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik, më 06 shkurt 2026, në ambientet e saj, organizoi një trajnim të dedikuar temës: „Marrja në pyetje e dëshmitarit të rrezikuar, mbrojtja e tij në procedurën paraprake dhe në shqyrtimin kryesor, e drejta e mbrojtjes gjatë marrjes së tyre në pyetje, si dhe marrja në pyetje e viktimave dhe dëshmitarëve veçanërisht të cenueshëm“, në të cilin morën pjesë gjykatës nga repartet penale dhe prokurorë publikë nga të gjitha zonat e apelit.
Trajnimin e realizuan: dr. Olja Ristova, gjykatëse në Gjykatën e Apelit Shkup, dhe Maja Koneska, prokurore publike në Prokurorinë Publike Themelore Shkup, të cilat përmes një ligjërate të përbashkët mundësuan një qasje të integruar dhe multidisiplinare në trajtimin e dëshmitarëve dhe viktimave të rrezikuara.
Në kuadër të trajnimit u përfshinë të gjitha fazat relevante të procedurës penale, me theks të veçantë në procedurën hetimore, rolin e prokurorit publik në propozimin dhe zbatimin e masave procedurale të mbrojtjes, si dhe rolin e gjykatës në miratimin dhe zbatimin e tyre. Vëmendje e veçantë iu kushtua veprimeve të gjykatës gjatë shqyrtimit kryesor, veçanërisht gjatë dëgjimit të viktimave dhe dëshmitarëve.

Trajnimi përfshiu masat procedurale për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave, duke përfshirë fëmijët-viktima dhe kategori të tjera të cenueshme, çështjet që lidhen me parandalimin e viktimizimit dytësor, të drejtën e viktimave për kompensim, si dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e tyre në procedurën penale. Përveç kësaj, u realizua edhe një analizë e praktikës përkatëse gjyqësore vendore dhe e praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Qëllimi i trajnimit ishte avancimi dhe thellimi i njohurive dhe aftësive praktike të gjykatësve dhe prokurorëve publikë lidhur me rolet dhe kompetencat e tyre në mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave të rrezikuara gjatë procedurës hetimore dhe shqyrtimit kryesor, forcimi i kapaciteteve për zbatimin e masave procedurale të mbrojtjes, zhvillimi i një qasjeje të ndjeshme dhe profesionale gjatë dëgjimit të viktimave, me theks të veçantë te fëmijët dhe kategoritë e tjera të cenueshme, si dhe avancimi i njohurive për parandalimin e viktimizimit dytësor, të drejtën për kompensim dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare, praktikës gjyqësore vendore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në procedurat që përfshijnë viktima dhe dëshmitarë të rrezikuar.
Me këtë qasje, Akademia për gjykatës dhe prokurorë publik edhe një herë e konfirmoi përkushtimin e saj ndaj zhvillimit të vazhdueshëm profesional të bartësve të funksioneve gjyqësore dhe avancimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përmes trajnimeve të orientuara praktikisht dhe të harmonizuara me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.

